1 perditesime
21:37

Tërnava thotë se nëse nuk përmbushet marrëveshja e Ohrit, mund të nisë një konflikt i ri

Hajrullah Tërnava, njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nëse nuk përmbushet marrëveshja e Ohrit, atëherë mund të nisë një konflikt i ri.

“Atëherë mundet me ardhur deri te një konflikt i ri edhe mos të them deri te Lufta e Tretë Botërore, por mundet me ardh deri tek ajo që krejt Evropa çka ka investu në Serbi me i tërheq ato, që tani problemet me të cilat ka me u ballafaqu Serbia, ka me ardh në situatë që me ra në dy gjujt e me thanë po po e pranoj Kosovën”, tha Tërnava.

Lidhur me përforcimin e NATO-s në Kosovë, tha se janë shtuar rreth 1 mijë ushtarë.

“Mendoj që kjo që ka thënë Stoltenberg se përforcimi i NATO-s duhet me ndodh, ajo edhe ndodhi se njo 1 mijë ushtarë iu kanë bashkëngjit përforcimit që ka ardh dhe mos të flasim për tjerat gjëra që na pak kemi informata për to. Sepse marrë në tërësi, edhe definicioni i politikës është ‘politika është art i së mundshmes’. Nuk jepen ato sendet më të rëndësishme për opinionin, por janë diplomaci, vetëm në katër sy kur folin, ata përfaqësuesit e shteteve”, tha Tërnava.

Sipas tij, me rëndësi është që Kosova është e mbrojtur nga NATO, e meqë KFOR-i është pjesë e NATO-s edhe ne de-facto jemi të pranuar në NATO.

“Proceset kanë me u zhvillu në atë drejtim që edhe në vitet e ardhshme, s’ka me shku larg edhe ka me u anëtarësu edhe Kosova në këtë institucion ndërkombëtar. Por, megjithatë është diçka tjetër në pyetje, se Kosova nuk është më ajo Kosovë që ka qenë më ‘98-’99, që kena udhëheq lufta guerile, ku dihet çdo shtëpi u kanë me një serb a dy, me armatim kanë qëndru para shtëpive të tyre. Tash Kosova e ka Ushtrinë e vet, e ka Policinë”, tha Tërnava.


Tërnava: Është iniciuar çështja që FSK të jetë në kufi sikur Policia

Hajrullah Tërnava, njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është iniciuar çështja që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), të jetë e pranishme edhe në veri, sikur Policia e Kosovës.

“Është inicu çështja që FSK, sikur Policia e Kosovës me kanë e pranishme në ato pjesë deri të kufijtë e vet. Tash është në shqyrtim e sipër, këta ndërkombëtarët vendosin për ata”, tha Tërnava.

Ai tha se Kosova nuk ka pasur as ushtri, ndërsa tani i ka të gjitha.

“Unë thash edhe më parë ne s’kemi pas as ushtri, as kurrgjë. Qitash i ke të gjitha, edhe ju nuk e di a keni harru, u aktualizu edhe çështja që edhe FSK-ja me kalu tash deri në kufijtë atje me Serbinë, e knej këto, që është në shqyrtim e sipër me përfaqësuesit e KFOR-it”, shtoi Tërnava.

Tutje, ai tha se kjo është e mundshme që të ndodhë, pasi sipas tij, disa udhëheqës më parë e kanë sjellë atë vendim që të kalojnë në pjesën e veriut.

Por, panelistët e tjerë thanë që Ushtria nuk mund të vendoset në veri, pasi rendi dhe ligji garantohen nga Policia e Kosovës dhe misioni i NATO-s në Kosovë.

 

20:36

Tërnava: Sovraniteti i Kosovës po shtrihet deri në kufijtë me Serbinë

Hajrullah Tërnava, njohës i çështjeve të sigurisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është shumë me rëndësi që sovraniteti i Kosovës tani po shtrihet deri në kufijtë me Serbinë.

Sipas tij, situata ka ndryshuar rreth 90%, pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

“Në tërësi 80-90% është ndryshuar situata, sepse duke pas parasysh edhe ato zgjedhjet e kryetarëve shqiptarë e sidomos para një viti e diçka kur e lëshuan serbët policinë, prokurorinë, gjyqësinë, e të tjera”, tha Tërnava.

Shtrirjen e sovranitetit, sipas tij është dashur ta ndërmarrin edhe qeveritë tjera prej vitit 2000.

“Tash në ato pjesë të veriut janë policët shqiptarë, që do të thotë se megjithatë, sovraniteti i Kosovës po shtrihet deri në kufijtë me Serbinë. Kjo është ajo e rëndësishmja që na është dashtë edhe qeveritë e tjera me ndërmarrë prej vitit 2000 e jo vetëm tani”, shtoi Tërnava.

Ai përmendi edhe një shpërthim që ndodhi së fundi, e i cili tha se është akt i frikësimit dhe se të tilla veprime nuk do të ndalen.