Prokurori Abazi: Pelegrinët që u gjetën në Manastirin e Banjskes nuk ishin të përfshirë në rast
Prokurori i rastit në veri, Naim Abazi, ka thënë pelegrinët që janë gjetur të dielën në mbrëmje në Manastirin e Banjskës i ka identifikuar Policia e Kosovës dhe nga informacionet e deritanishme ka dalë se ata nuk janë të përfshirë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
“Sot ka dalë e kundërta e asaj që kemi pasur informacione, është se ata janë persona që kanë ardhur nga shteti i Serbisë dhe janë vendosur në bujtinën e Manastirit të Banjskës, Policia secilin një nga një i ka identifikuar dhe deri më tani nuk ka informacione ose indicie që ata janë përfshirë në aktivitetin për të cilën po flasim”, ka theksuar Abazi, në një lidhje telefonike në emisionin “Tempus”, në KTV.
Policia e Kosovës, pelegrinët që i kishte gjetur në Manastirin e Banjskës i kishte dërguar në Stacionin e policisë në jug të Mitrovicës për verifikim.
Ai ka thënë se të dyshuarit po hetohen në drejtim të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe juridik dhe po ashtu veprave penale pjesëmarrje në grupe terroriste.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se gjashtë persona janë ndaluar për 48 orë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe dyshohen për disa vepra penale, përfshire ato që kanë të bëjnë me terrorizëm.
Në sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, të dielën është vrarë polici Afrim Bunjaku. Nga këto sulme janë lënduar edhe tre policë të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri.
Të vdekur kanë mbetën edhe tre sulmues të armatosur.