Shemsedin Dreshaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në emisionin “Tempus” në KTV tha se Komisioni për Shëndetësi ka gjetur se Ligji për shëndetin mendor bie ndesh me disa ligje të tjera.
“Gjatë punës në terren, gjatë intervistës me krejt strukturat që janë të organizuara në vend, kemi ardhur në disa përfundime. Ky ligj ka ndeshje me ligjin për siguri, ka ndeshje me ligjin për ligjësi, i kemi identifikuar krejt këto probleme, pra këtu bëhet fjalë për këtë trajtimin e detyrueshëm, pra të pavullnetshëm. Kemi ardhur në mungesë të protokolleve standarde të aprovuara”, tha Dreshaj.
Deputeti Dreshaj tha se kanë ardhur në përfundim që ka mangësi në përfshirjen e institucioneve shëndetësore brenda shtetit të Kosovës.
“Kemi gjetur institucione që nuk janë të përfshira brenda ligjit fare dhe duke u nisur prej këtyre mangësive që i kemi gjet, jemi ndal edhe kemi menduar a është më lehtë të përmirësohet a të shkruhet një i ri”, tha Dreshaj, duke theksuar se njëzëri kanë rekomanduar që ligji të rishkruhet.
Ai tha se kanë propozuar që në draftin e ri të përfshihen të gjeturat e tyre për të mirën e qytetarëve dhe vendit.