Avokati Yll Zekaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ka shumë gazetarë të lënduar në veri dhe se nuk iu ofrua siguri nga shteti.
Sipas tij, nuk kemi procedura standarde të veprimit se si duhet të mbrohen gazetarët në një ngjarje të tillë sikurse ishte protesta e sotme dhe se si duhet të sigurohet një raportim i mirëfilltë.
“Nëse i marrim në total numrin e personave të sulmuar apo të lënduar, në mesatare del se më shumë kemi të lënduar gazetarë sesa personel të sigurisë apo vetë protestues”, tha Zekaj.
I njëjti shtoi se shteti po dështon në çdo rast kur ka një situatë të tillë dhe si u tha edhe më herët nuk janë situata që ndodhin vetëm një herë, por janë situata të provuara edhe në të kaluarën.
Zekaj shtoi se sot një gazetar apo raportues duhet më shumë të brengoset për sigurinë e vet personale sesa për një raportim të mirëfilltë apo kualitativ nga vendi i ngjarjes.
Kjo është shumë shqetësuese dhe është alarmi i fundit drejt kësaj Qeverie për të krijuar një siguri për qytetarët në mënyre që të njëjtit të kryejnë punën e vet pa menduar nëse do të sulmohen apo rrezikohet jeta e tyre, tha Zekaj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.