TEMPUS

I mbijetuari i masakrës së Dubravës: Është shtënë mbi ne me çdo lloj arme

I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Bedri Kukalaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në masakrën e Dubravës ishte shtënë mbi të burgosurit me çdo lloj arme.

“Faktikisht, aty sekondat kanë qenë kur kanë filluar çdo lloj arme e gjuajtjes, çdo lloj arme. Mund të them prej zolle e deri më të voglën, me bume dore, me të gjitha jonë kanë edhe aty ma unë kam përfunduar në sekondat e parë të gjuajtjeve”, ka thënë Kukulaj.

Ai tha se kjo kishte ndodhur me 22 maj, rreth orës 7 të mëngjesit, ku sipas tij iu kishte dhënë urdhri që të rreshtoheshin.

“Kur na u ka dhënë urdhri me u rreshtu te pika e vrojtimit, gjoja që po duan të na numërojnë edhe të na transferojnë prej atij burgu se më këtu nuk ka siguri, e bombardoi NATO-ja edhe ma nuk ka siguri. Edhe i kemi pa gardianët aty ku kanë qenë prej vrojtimit edhe të armatosur me snajperka me krejt, po na s’kishim ku të shkonim përtej aty”, ka shtuar tutje Kukulaj.

Sipas tij, aty kanë qenë rreth 950 të burgosur, si dhe nuk kanë qenë të gjithë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.