TEMPUS

Gola: Projektligji për liritë fetare garanton sekularitetin e shtetit

Ardian Gola, profesor i Sociologjisë, në emisionin “Tempus” në KTV, të hënën tha se Projektligji për liritë fetare garanton sekularitetin e shtetit.

“Mendoj që konsultimet publike do të vazhdojnë edhe në nivel të legjislativit, për të plotësuar atë që ekzekutivi e ka nisur, qoftë si projekt politik, qoftë si përpjekje institucionale për të rregulluar në spektrin afatgjatë të kohës këtë çështje. Me aq sa kam mujt me pa, për një gjë jam plotësisht i sigurt, nuk di që ka një dispozitë që e minon parimin e sekularitetit sipas kritikës së bërë nga Kisha Ortodokse”, tha Gola.

Ai tha se Projektligji do të has në sfidë për shkak që është me interes vital dhe nevojiten votat e 2/3 të minoriteteve, që do të thotë duhet të votojë edhe komuniteti serb.

“I mbetet kohës me pa si ky komunitet, përkatësisht përfaqësuesit politik në Parlament do të reagojnë. Kjo është “Thembra e Akilit” e vazhdueshme që ka qenë gjatë këtyre viteve. Por, unë thellësisht besoj që ky është një Projektligj që rregullon relativishit mirë çështjen juridike të bashkësive fetare dhe aspak nuk e minon, përkundrazi e ruan dhe garanton parimin e sekularitetit institucional të shtetit të Kosovës”, shtoi Gola.