TEMPUS

Sogojeva-Dermaku: Në vitin 2022 vetëm dy komuna i kishin vendosur kamerat në sheshet publike sipas ligjit

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), Krenare Sogojeva-Dermaku, të hënën në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjatë vitit 2022, AIP-ja ka gjetur se në të gjitha qytetet kishte të vendosura kamera publike në sheshe, ndërsa vetëm Gjilani dhe Ferizaj i kishin vendosur ato sipas kritereve.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi, gjatë vitit 2022 ka pas përgatitur një plan për inspektime të rregullta, pikërisht për kamera në sheshet publike. Në fakt, ne kemi realizu këto inspektime në të gjitha komunat, në përjashtim të katër komunave në veri të Kosovës. Kemi gjetur se në të gjitha qytetet e Kosovës ka të vendosura kamera në sheshet publike. Të vetmet dy komuna kanë qenë të vendosura sipas kritereve të ligjit, ka qenë Komuna e Gjilanit dhe Komuna e Ferizajt, të cilat i ka pasur Policia e Kosovës në mbikëqyrje dhe për të njëjtat ka pasur të vendosura edhe shenjat. Ndërsa, të gjitha komunat tjera nuk kanë qenë të mbikëqyrura nga Policia, por nga vetë komuna dhe zyrtarët komunal”, tha Sogojeva-Dermaku.

Komisionerja tha se AIP-ja ka lëshuar edhe vendime dhe ka kërkuar nga këto komuna që t’i bartin pajisjet që regjistrojnë pamjet, tek Policia e Kosovës dhe të mbikëqyren nga kjo e fundit, si i vetmi institucion që e ka për obligim mbikëqyrjen për sigurinë e qytetarëve dhe pronës.