Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) Gzim Shala, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se përgjithësisht përfituesit më të mëdhenj me Ligjin e Pagave, janë pozitat e ndryshme politike. Veçanërisht sipas tij favorizohen këshilltarët politikë.
“Përfituesit më të mëdhenj janë pozitat e ndryshme politike, duke filluar nga Kryeministri, ministrat dhe veçanërisht pjesa e këshilltarëve politikë, e që në raport me ta në një rast kemi gjetur se shkelet parimi i mosdiskriminimit përkatësisht barazisë para ligjit për shkak se në rrethana të njëjta ka një favorizim për këta këshilltarë në raport me zyrtarët e tjerë publikë”, theksoi Shala.
Sipas tij, ky ligj në parim ka rritje të konsiderueshme të pagave për këshilltarët politikë, duke llogaritur edhe shtesat për këta këshilltarë, të cilët nuk punojnë një orar të plotë, por në një orar të pacaktuar dhe se nga këto shtesa në pagë thotë se mund të përfitojnë vetëm këshilltarët politikë që punojnë në këto rrethana.
Shala tha se përfitimin e kësaj shtese nuk e ka gjyqtari i procedurës paraprake që është kujdestar, policët, e të tjerë.