TEMPUS

Jakaj: Reformat në skema pensionale s’kanë ndodhur, ndonëse ishin në agjendë

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka deklaruar se reformat në skemat pensionale s’kanë ndodhur, ndonëse sipas tij, ishin në agjendë.

“Në programin qeverisës edhe në programin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë e paraparë reforma sociale qysh në vitin e parë. Në Programin legjislativ qysh në vitin e parë plotësim-ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale është i paraparë edhe në vitin 2022, por në të dy vitet nuk ka ndodhur”, ka thënë Jakaj.

Ai ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi kriterin prej 15 vitesh përvojë pune.

“Sot kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i cili këtë kriter prej 15 viteve, këtë Ligj, atë dispozitë ligjore ku është përcaktu kjo është rrëzu. Fatkeqësisht që përmes këtij aktgjykimi nuk do të përfitojnë personat që kanë vdekur ose prej kur hyn në fuqi ligji, por tashmë e kemi një aktgjykim i cili precizon qartë që këto dispozita shfuqizohen më 15 korrik të këtij viti. Është urdhëru Kuvendi dhe Qeveria të nisin reformën, të nisin plotësim-ndryshimin e Ligjit për reformat pensionale, por kjo sipas monitorimit të IKD-së nuk del që do të jetë në plan-programin për vitin 2023”, ka shtuar Jakaj.

Ai ka theksuar se në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, në kërkesën që ia ka bërë Ministrisë së Financave se cilat janë veprimet të cilat do t’i ndërmarrë Qeveria për ta përmirësuar këtë gjë, atëherë në përgjigjet e M0inistrisë thuhet që ata kanë në plan-program Projektligjin për skemat pensionale, të cilin do ta miratojë më së largu më 25 nëntor. Por sipas tij ai Projektligj nuk është sjell për shqyrtim në Qeveri.

“Arsyeja, përkundër krejt kësaj, ne kemi pas një Projektligj të propozuar nga një anëtar minor, i cili është nga grupi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që ka pas të njëjtën temë të cilin i përket, e ka Gjykata Kushtetuese, më 18 janar ky Projektligj nuk votohet nga shumica e deputetëve të Kosovës dhe kështu rrëzohet në lexim të parë, por edhe kur miratohet më 25 janar programi legjislativ i Qeverisë për këtë vit aktual, nuk përfshihet në programin legjislativ të vitit 2023. Po në të njëjtën ditë, kur votohet, debatohet ligji për tërheqje të fondit pensional për kontributpaguesit, e kemi parë se si është kushtëzuar sjellja e reformës pensionale me votimin e një marrëveshjeje në vlerë prej 47 milionë eurove për reformën e asistencës sociale dhe pensionale”, ka thënë Jakaj.