1 perditesime
21:56

Mustafa: S’mund ta dërgojmë tek të moshuarit gjithë shpenzimin social

Artan Mustafa, ligjërues dhe hulumtues i Politikës Sociale, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nuk mund të dërgohet tek të moshuarit, i gjithë shpenzimi social.

“Problemi i të vjetërve, ata kanë me u varë prej familjeve të tyre gjithnjë e më shumë, ritradicionalizim, prandaj ne duhet nga shumë aspekte të mendojmë se qysh me e zgjidh, mirëpo nuk mund ta dërgojmë të gjithë shpenzimin social tek të moshuarit, duhet të zgjidhet ky problem duke konsideruar tërësinë e interesave që i ka shoqëria jonë sot”, tha Mustafa.

Ai theksoi se fëmijët dhe shtresa punëtore, duhet të marrin prioritet shumë më tepër, demokraci në vendin e punës, të ofrohet qasja e fëmijëve në edukimin parashkollor të universalizohet, të bëhet publike të ketë mbulueshmëri të madhe gjeografike, sepse kjo pastaj lejon edhe gratë të hynë në tregun e punës.

“Ne duhet ta mendojmë qasjen e kujdesit për personat që kanë nevojë, në duhet të mendojmë për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar, për shembull aty kemi ligjet të cilat janë në konflikt njëri me tjetrin dhe të gjitha këto duhet të adresohen nuk mund t’i ikim këtyre problemeve nga Qeveria, mirëpo po e përsëris, disa vendime që i ka marrë Qeveria, i ka ndërmarrë në mënyrën e duhur dhe ndoshta është fat për këto reforma që po takohen me Qeverinë”, tha Mustafa.

Ai deklaroi se nëse impelentohet, pa kurrfarë mase tjetër prej Qeverisë, potencialisht mund të shtohen 150 mijë njerëz, dikush ndoshta ka vdekur, dikush ndoshta ka migruar diku jashtë.

“Nuk është problemi tek pagesa buxhetore, problemi duhet me u shiku nga dimensionet tjera, drejtësia sociale dhe sistemi pensional i Kosovës duhet me i kontribuar shumë interesave, punësimit, qysh me krijuar një sistem pensional, i cili nxitë njerëzit me hy në tregun e punës, qysh me krijuar një sistem pensional i cili nuk e ngarkon të varfrin”, tha Mustafa.

20:48

Mustafa: Kosova ka shkuar kah një politikë sociale që më shumë definohet si regjimi liberal-social

Artan Mustafa, ligjërues dhe hulumtues i politikës sociale, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kosova ka shkuar kah një politikë sociale, e cila më shumë definohet si regjimi liberal-social.

“Politika sociale e Kosovës dallon shumë prej shumicës së vendeve të rajonit, të cilat bazën e politikës sociale e kanë vazhdu, ka pas një vazhdimësi prej sistemit socialist. Domethënë, ku thelbi i politikës së atyre vendeve bazohet në sigurim shoqëror social, njihet. Kosova ka shku kah një politikë sociale që më shumë definohet si regjimi liberal-social, ku shteti është dizajnuar në atë mënyrë që të veprojë sa më pak dhe shumica e mirëqenies të synohet të krijohet në treg”, theksoi Mustafa.

Sipas tij, disa prej elementeve bazë të shtetit social janë sistemi pensional, sistemi shëndetësor, ndoshta edhe kujdesi i hershëm parashkollor për fëmijët.

Ai tha se me të gjitha këto aspekte, Kosova e ndjek modelin e regjimit social-liberal, si pasojë e ndërhyrjes së madhe ndërkombëtare, e cila ka aspekte pozitive dhe negative.