TEMPUS

Sogojeva-Dermaku: Të dhënat shëndetësore në asnjë mënyrë nuk mund të publikohen

Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva- Dermaku, në emisionin “Tempus” në KTV tha se tha se sipas Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhënat shëndetësore janë të dhëna të ndjeshme dhe si të tilla, në asnjë mënyrë nuk mund të publikohen.

“Në këndvështrim të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhënat shëndetësore janë të dhëna të ndjeshme dhe si të tilla asnjëherë nuk mund të publikohen as edhe nga personat fizikë, pa pëlqimin edhe të vetë personit i cili domethënë e ka sëmundjen apo është identifikuar me një lloj sëmundje të tillë pa marrë parasysh çfarëdo sëmundje qoftë ajo”, tha Sogojeva-Dermaku.

Tutje Sogojeva-Dermaku shtoi se qytetarët e kanë të drejtën e tyre që të ankohen jo vetëm për mediat, por për secilin institucion qoftë ai publik apo privat apo edhe vetë personi fizik në rastet kur dikush keqpërdor apo i bëjnë publike të dhënat e ndjeshme si këto shëndetësore.


AIP-i shqipton gjoba edhe kur shkelet privatësia në rrjete sociale nga qytetarët

Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) shqipton gjoba për shkeljen e privatësisë edhe nëse ato publikohen në rrjete sociale nga qytetarët.

“Kompetencat e Agjencisë nuk janë reagimi, por në rast se kemi ankesë ne normalisht që ndërmarrim veprime”, ka thënë Sogojeva-Dermaku në “Tempus” të KTV-së.

Sipas saj, rrjetet sociale sot janë bërë gazetari në vete, ku aty po shfaqen e po shpërfaqen shumë të dhëna, e që pa marrë parasysh se ku publikohen ato, është publikim.

“Tani këto çështjet e publikimeve trajtohen rast pas rasti, për shembull nuk mund të themi që publikimi i emrit-mbiemrit të një zyrtari të lartë publik nuk është dashtë me u bo, por nëse kemi publikim të emrit-mbiemrit të një fëmije për një rast të caktuar ose të një qytetari të thjeshtë, edhe këtu bëhet dallimi, Ligji për mbrojtjen e të dhënave e ka paraparë këtë dallim”, tha Sogojeva-Dermaku.

Tutje, ajo ka thënë se jo në të gjitha rastet veprohet njësoj, por gjithsesi gazetarët, qytetarët duhet të kenë kujdes edhe t’i mbrojnë të dhënat e veta.

“Qytetarët edhe gazetarët të mos i publikojnë të dhënat e të tjerëve sidomos, të dhënat e tepërta që e tejkalojnë qëllimin që ka interes publiku”, shtoi tutje Sogojeva-Dermaku.