Besnik Berisha, anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) tha se bazuar në monitorimin që e bëjnë, janë të kënaqur me mbrojtjen e privatësisë nga ana e mediave.
Ai tha se KPM-ja e ka departamentin e monitorimit të mediave dhe se mediat që operojnë në Kosovë janë të licencuara nga KPM-ja dhe janë të obliguara t’i përmbushin obligimet në licencë.
“Krahas licencës që kanë dhe obligimeve specifike të cekura aty, sigurisht që janë të obliguar t’i respektojnë të gjithë legjislacionin primar dhe sekondar, domethënë edhe rregulloren e KPM-së”, tha Berisha.
Berisha theksoi se KPM ka një Kod të etikës, i cili nuk është freskuar nga viti 2016, por se sipas tij është Kod që ka rregulla të caktuara.
“Në KPM kemi fjalë të mira për mediat, por kemi edhe rezerva në disa raste. Konkretisht për temën që kemi ardhur të flasim, qëndrojnë relativisht mirë, jemi të kënaqur, në bazë të rezultateve që i kemi në bazë të monitorimit që bëjmë. Vitin e kaluar janë bërë disa monitorime, të cilat kanë pasur për qëllim të evidentojnë shkelje të ndryshme, por në disa raste edhe shkeljet në raport me privatësinë ose të drejtat e njeriut. Pothuajse 99% e rezultateve kanë qenë pozitive, domethënë ne kemi qenë të kënaqur me rezultatet dhe gjetjet e KPM-së janë që mediat kanë raportuar në mënyrë të duhur”, tha Berisha.