Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se shëndetësia asnjëherë nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie.
“Serioziteti i menaxhimit të shëndetësisë nga ana e qeverisë aktuale është parë me reduktimin për 49% të buxhetit në nivel të shëndetësisë, pra e kemi parë situatën ku me buxhetin paraprak nuk kemi qenë mirë, ndërsa më vonë u revidua dhe pastaj u pa evidenca. Sot, kur jemi pa ministër vërtetë është iluzore të pritet që të kemi ndonjë lëvizje nga e mbara”, tha Dreshaj të martën në emisioni “Tempus” në KTV.
Sipas tij, menaxhimi i shëndetësisë është një shkollë në vete dhe se kudo në botë menaxhimi shëndetësor është sektor i ndarë.
“Do të thotë se këto dështime nuk janë dështime në një nivel të caktuar, është varg. Kjo edhe një herë e verifikon atë dhe e dëshmon faktin se asnjëherë shëndetësia nuk ka qenë prioritet. Unë si pjesë e klinikës me një përvojë 37 vjeçare mund të ju them se çka do të thotë mungesë e barnave e listave esenciale”, tha Dreshaj.
Deputeti përmendi edhe pagat e mjekëve, duke thënë se janë në gjendje të mjerueshme.