Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në emisionin “Tempus” në KTV të martën, ka thënë se veprimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe atij Prokurorial, pas dorëheqjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë, ishin shumë të matura.
Sipas tij, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial nuk u ngutën dhe nuk i miratuan dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që u paraqitën dy ditët e fundit.
“Kjo për faktin se në momentin kur Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i miratojnë ato dorëheqje, janë të obliguara që ato dorëheqje t’i dërgojnë pastaj te Presidentja, e cila nuk ka rrugë tjetër, përveçse t’i miratojë”, tha Miftaraj.
Ai tha se KGJK-ja dhe KPK-ja do duhej ta bënin një vlerësim të gjendjes dhe të jenë në koordinim me BE-në dhe SHBA-në.
“Besoj se në këtë fazë edhe Këshilli Gjyqësor edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës do të duhej ta vlerësonin gjendjen më mirë, të kenë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, me theks të veçantë Bashkimin Evropian dhe ShBA-në, në mënyrë që çdo vendim që ndërmerret mos të ketë pastaj pasoja të pariparueshme, të cilat në fund të fundit do të ndikojnë jo vetëm në sigurinë e vendit në pjesën veriore, por do t’ia cenojë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si për shqiptarë, si për serbë, të drejtën bazë për të marrë shërbime nga ana e gjykatave dhe nga ana e prokurorisë por edhe mbrojtjen nga ana e policisë në pjesën veriore të Kosovës”, tha Miftaraj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.