Rashit Qalaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se çështja e kompetencave ekzekutive të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka vdekur.
“Çështja e kompetencave ekzekutive të Asociacionit të Bashkësive ka vdekur. Realisht nuk ka shtet në botë i cili mund të krijojë diçka në kundërshtim me Kushtetutën e tij. Dhe çështja e kësaj Bashkësisë së Komunave realisht është e paraparë diku, nëse nuk gaboj në Planin e Ahtisaarit dhe ne e kemi marrë një obligim ndërkombëtar, i cili realisht është duke na qëndruar mbi kokë tërë kohën për shkak se është nënshkruar në Bruksel, nëse s’gaboj është ratifikuar edhe në Kuvend, por që pastaj është dashur ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë deputeti Qalaj në “Tempus”.
Ai ka shtuar se konsideron që kjo bashkësi do të formohet, mirëpo sipas tij nuk ka teori që asnjë pushtet dhe asnjë deputet qoftë pozitë dhe opozitë që mund ta votojë nëse kjo Bashkësi e Komunave mund të ketë ndonjë kompetencë sado të vogël ekzekutive.
“Unë për veti kurrë s’e votoj, kurrë, çfarëdo presioni, kushdo që mund të më bëjë presion ajo ka vdekur, është një vendim i Gjykatës Kushtetuese si për pozitën ashtu edhe për opozitën”, tha Qalaj.