TEMPUS

Sogojeva-Dërmaku: Ka shumë ankesa për mosdhënie të qasjes në faturat e shpenzimeve të buxhetit

Krenare Sogojeva-Dërmaku, komisionere për Informim dhe Privatësi, ka thënë se shumica e statistikave tregojnë se interesi publik për qasje në dokumente publike është më shumë tek shpenzimi i parasë publike, sidomos tek faturat.

“Ne e marrim shumë seriozisht dhe e trajtojmë në mënyrë specifike kur kemi ankesa për mosdhënien e qasjes në faturat e shpenzimeve të buxhetit”, ka thënë ajo në emisionin “Tempus” në KTV të martën.

Sipas komisioneres, ka interes edhe për procedurat e rekrutimit dhe përzgjedhjes së zyrtarëve në institucione publike.

“Interes të publikut ka dhe për procedurat e rekrutimit, procedurat e përzgjedhjes së specialistëve, procedurat e zgjedhjes së prokurorëve dhe të gjitha pozitave që kanë publiku në to, por edhe në procesin e rekrutimit të zyrtarëve në ministri, institucione publike”, ka shtuar ajo.

Sogojeva-Dërmaku ka theksuar se ka pasur edhe ankesa për mohim të qasjes që e kanë bërë institucionet ndaj procesverbaleve të mbledhjeve, duke përmendur një rast me Odën e Avokateve, që ka përfunduar me gjobë e që pas kësaj vetë Oda ka filluar t’i bëjë më shumë publike mbledhjet.