Tech

Viktimat e mashtrimit nga kriptovalutat humbën më shumë se 1 miliard dollarë nga viti 2021

Më shumë se 46,000 njerëz raportuan se kanë humbur mbi 1 miliard dollarë si pasojë e mashtrimeve të kriptomonedhave që nga fillimi i vitit 2021, ka njoftuar Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) në një raport të premten.

Gati gjysma e njerëzve që raportuan humbje të monedhave digjitale për shkak të mashtrimit kanë thënë se e gjitha filloi me një reklamë, një postim ose një mesazh në një platformë të rrjeteve sociale, raportoi Reuters.

Sipas kësaj agjencie rreth 575 milionë dollarë nga të gjitha humbjet në lidhje me mashtrimet e monedhave digjitale ishin për mundësi false investimi.

Pothuajse katër nga çdo dhjetë dollarë të humbur për shkak të mashtrimeve me origjinë nga rrjetet sociale humbën në kripto, shumë më tepër se çdo metodë tjetër pagese, me Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Telegram që janë platformat kryesore të rrjeteve sociale në raste të tilla.

Humbja mesatare e raportuar për një individ ishte 2600 dollarë, derisa bitcoin, tether dhe ether ishin kriptovalutat kryesore që njerëzit përdornin për të paguar mashtruesit.