Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Twitteri me sondazh vendos për kthimin e llogarisë së Trumpit

Pronari i ri i rrjetit social Twitter, Elon Musk. ka thënë se llogaria e Donald Trumpit është rikthyer në funksion pas sondazhit me të cilin përdoruesit vendosën për kthimin e ish-presidentit në rrjetin social.

Musk ka thënë se 51 për qind e më shumë se 15 milionë përdoruesve kanë votuar për kthimin e llogarisë së Trumpit. Mirëpo, vetë ish-presidenti republikan ka thënë se ndoshta nuk do të kthehet në Twitter. Ka shtuar se nuk sheh arsye për kthim në këtë rrjet social.

Llogaria e tij ishte fshirë për kohë të pacaktuar në vitin 2021 për shkak të rrezikut për nxitje të dhunës. Udhëheqësit e dikurshëm të Twitterit bllokuan llogarinë e Trumpit vetëm pak ditë pasi përkrahësit e tij shkaktuan trazira në Capitol më 6 janar të vitit 2021.

Mijëra protestues tentuan të parandalonin certifikimin e fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale. Gjatë trazirave vdiqën katër civilë dhe një polic. Pak ditë pas trazirave, u suspenduan llogaritë e Trumpit edhe në Facebook, Instagram dhe YouTube. Muaj më vonë, Trumpi krijoi rrjetin e vet social të quajtur Truth Social. Musku së fundmi ka blerë Twitterin për 44 miliardë dollarë.