Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Tajvani do ta gjobisë gjigantin e pajisjeve elektronike

Flamuri i Tajvanit

Qeveria e Tajvanit ka thënë të shtunën se do të gjobisë Faxconnin, prodhuesin më të madh në botë të pajisjeve elektronike me kontratë, për një investim të paautorizuar në një prodhues kinez të çipave, shkroi të dielën Reuters.

Tajvani po e vëzhgon me kujdes ambicien e Kinës për të rritur industrinë e saj gjysmëpërçuese dhe po e ashpërson ligjin për të parandaluar vjedhjen e teknologjisë së tij të çipave nga Kina.

Foxconn, një furnizues i madh i Applet dhe prodhues i iPhonet, zbuloi në korrik se është aksionar i konglomeratit kinez të çipave, Tsinghua Unigroup.

Ministria e Ekonomisë e Tajvanit ka njoftuar se komisioni i saj i investimeve, i cili duhet të miratojë të gjitha investimet e huaja, do t'i kërkojë Foxconnit të hënën shpjegim në lidhje me investimin.

“Për faktin se investimi nuk është deklaruar paraprakisht, shuma do të llogaritet sipas formulës dhe penalizimi do të vendoset sipas ligjit”, kanë thënë nga kjo ministri duke mos dhënë më shumë detaje.

Ligji tajvanez thotë se qeveria mund të ndalojë investimet në Kinë "bazuar në konsiderimin e sigurisë kombëtare dhe zhvillimit të industrisë". Shkelësit e ligjit mund të gjobiten në mënyrë të përsëritur derisa të bëhen korrigjimet.

Artikuj të ngjashëm