Kompania “Sony” e ka publikuar hubin më të ri USB, për të cilin pohon se paraqet lexuesin “më të shpejtë botëror” të kartave SD UHS-II (dhe kartelave microSD), me mbështetje për shpejtësi deri në 300 MB/s. Hubi do të duhej të siguronte transferim të lehtë të fotove RAW dhe videove 4K nga fotoaparati/kamera, raporton Engadget.
Hubi USB e mbështet furnizimin prej 100W, kështu që mund të shërbejë për monitorët dhe periferikët e tjerë me kërkesa më të larta. Të pranishëm janë edhe konektorët USB-C dhe USB-A për lidhje të pajisjeve më të vjetra dhe më të reja, si dhe dalje HDMI për mbështetje të videove 4K deri në 30 frame për sekondë.

Shtëpiza e hubit është e qëndrueshme, me rezistencë IP68 ndaj ujit dhe pluhurit, ndërsa dizajni i "valëzuar" prej alumini e përmirëson qëndrueshmërinë dhe e zvogëlon mundësinë e gërvishtjes, shkruan KOHA Ditore.
Hubi Sony MRW-S3 USB do të dalë në shitje gjatë vjeshtës (së bashku me kartelat e reja SD SF-M Tough). Kompania nuk i ka bërë të ditura çmimet e pajisjeve.