Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Snapchati heq dhjetëra fëmijë nga aplikacioni në Britani

Snapchati po largon dhjetëra fëmijë në Britani nga platforma e tij çdo muaj, sipas të dhënave të rregullatorit britanik të medias “Ofcom”, raportoi të dielën Reuters.

Platformat e mediave sociale si Instagrami i Metas, TikTok i ByteDances dhe Snapchati i Snapit kërkojnë që përdoruesit të jenë të paktën 13 vjeç. Këto kufizime synojnë të mbrojnë privatësinë dhe sigurinë e fëmijëve të vegjël.

Përpara projektligjit të planifikuar të Britanisë për Sigurinë Online , që synon mbrojtjen e përdoruesve të mediave sociale nga përmbajtja e dëmshme si pornografia e fëmijëve, Ofcomi ka kërkuar nga TikToku dhe Snapchati të tregojnë se sa persona të dyshuar nën moshën 13-vjeçare kanë hapur llogari të tyre në një vit.

Sipas të dhënave, TikToku ka njoftuar se midis prillit të vitit 2021 dhe atij të 2022-tës, kishte bllokuar mesatarisht rreth 180,000 llogari të dyshuara për të mitur në Britani çdo muaj, ose rreth dy milionë në atë periudhë 12-mujore.

Në të njëjtën periudhë, Snapchati zbuloi se kishte hequr afërsisht 60 llogari në muaj, ose pak më shumë se 700 në total.

Një zëdhënës i Snapit ka thënë se shifrat keqinterpretonin shkallën e punës që kompania bëri për të mbajtur jashtë platformës së saj fëmijët nën 13 vjeç.

“Ne i marrim këto detyrime seriozisht dhe çdo muaj në MB bllokojmë dhe fshijmë dhjetëra mijëra përpjekje nga përdoruesit e mitur për të krijuar një llogari në Snapchat”, është shprehur ai.

Edhe Snapchati po hetohet në SHBA për shkak të përdoruesve nën moshën 13 vjeç Tech Snapchati po hetohet në SHBA për shkak të përdoruesve nën moshën 13 vjeç

Hulumtimet e fundit të Ofcom sugjerojnë se të dy aplikacionet janë njësoj të popullarizuar me përdoruesit e mitur.

Aktualisht, kompanitë e mediave sociale janë përgjegjëse për vendosjen e kufijve të moshës në platformat e tyre. Megjithatë, sipas projektligjit të shumëpritur të sigurisë në internet, atyre do t'u kërkohet me ligj që të respektojnë këto kufizime dhe të demonstrojnë se si po e bëjnë këtë, për shembull nëpërmjet teknologjisë së verifikimit të moshës.

Kompanitë që nuk respektojnë kushtet e tyre të shërbimit përballen me gjobë deri në 10% të fitimit të tyre vjetor.