Tech

Shumica e procesorëve të Qualcomm vitin e ardhshëm do të kenë modem 5G

Qualcommi ka njoftuar se do ta integrojë teknologjinë e vet 5G në serinë 6xx dhe 7xx të procesorëve të segmentit të mesëm, dhe jo vetëm në serinë premium 8xx. Kjo do të thotë që në vitin 2020, do të mund të blihen telefona relativisht të lirë me shpejtësi 5G e cila shkon përtej 1Gbps, raporton Engadget.

Kompania ka njoftuar se teknologjia do të implementohet në telefonat e prodhuesve si Oppo, Realme, Redmi, Vivo, Motorola, Nokia dhe LG. Sigurisht, është edhe Samsungu, i cili tashmë pritet ta përdorë pasardhësin e Snapdragon 855 me mbështetje të integruar për 5G.

Procesorët me integrim 5G do t’i mbështesin të gjitha rajonet dhe frekuencat kyçe, përfshirë mmWave, spektrin sub-6 GHz, TDD dhe FDD, 5G multi-SIM etj., shkruan KOHA Ditore. Qualcomm thekson se është duke punuar në mbi 150 dizajne 5G si pjesë e një roadmapi të gjatë pa tela, me shpejtësi të lartë.

Qualcomm kohët e fundit e ka prezantuar modemin më të shpejtë dhe më të efektshëm X55, të bazuar në teknologjinë 7nm, por ai nuk do të arrijë deri në vitin 2020. Procesorët më të rinj të integruar 5G dhe modemët e ndarë 5G e përdorin "Snapdragon 5G Modem-RF System" të Qualcommit, i cili bashkon modemin, RF transmiter RF front-end.

Kompania thekson se platforma 7-series 5G do të jetë e gatshme deri në tremujorin e katërt të këtij viti, ndërsa pajisjet që do të implementohen do të pasojnë menjëherë pasi të publikohet platforma. Telefonat me platformën 6-series 5G priten në gjysmën e dytë të vitit 2020, ndërsa më shumë detaje për platformën premium Snapdragon 8-series 5G do të jenë në dispozicion më vonë këtë vit.