Tech

Shefit të Apple i ulet paga për 40%

Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, do të përballet me ulje të pagës së tij vjetore me më shumë se 40% këtë vit.

Gjiganti i teknologjisë thotë se Cook kërkoi shkurtimin pas kritikave nga aksionarët, raportoi BBC. 

Komiteti i kompensimit i Apple i dha atij një "kompensim të synuar" në total prej 49 milionë dollarësh për vitin 2023.

Vitin e kaluar, aksionet e prodhuesit të iPhone ranë ndjeshëm përballë çështjeve të zinxhirit të furnizimit dhe një ngadalësimi ekonomik global.

"Komiteti i Kompensimit balancoi reagimet e aksionarëve, performancën e jashtëzakonshme të Apple dhe një rekomandim nga Cook për të rregulluar kompensimin e tij në dritën e reagimeve të marra", tha Apple.

Ky veprim nuk do ta prekë pagën bazë vjetore të tij prej 3 milionë dollarësh dhe një bonus deri në 6 milionë dollarë.

Objektivi për kompensimin e Cook për vitin 2022 ishte 84 milionë dollarë, megjithëse paga totale e tij aktuale për vitin e kaluar ishte 99.4 milionë dollarë. Kjo shifër përfshinte 630,600 dollarë në kostot e sigurisë personale dhe 712,500 dollarë për përdorimin e një avioni privat.

Vitin e kaluar aksionerët e Apple u nxitën nga një grup udhëheqësish këshillues investitorësh që të votonin kundër paketës së pagave të Cookit.

Cook u bë shefi ekzekutiv i Apple në gusht 2011, vetëm disa javë para vdekjes së bashkëthemeluesit Steve Jobs.

Pasuria personale e 62-vjeçarit është rreth 1.7 miliardë dollarë, sipas revistës Forbes.