Tech

Kundërshtohet paketa e pagesës prej 99 milionë dollarësh për shefin e Apple-it

Investitorët po nxiten të votojnë kundër një pakete pagese prej 99 milionë dollarësh që i është dhënë shefit të Apple, Tim Cook vitin e kaluar.

Shërbimet Institucionale të Aksionarëve (ISS) kanë thënë se ka "shqetësime domethënëse" për madhësinë e çmimit, nga 14.8 milion dollarë sa ishte një vit më parë.

Cook, pasuria neto e të cilit raportohet se është më shumë se 1 miliard euro, mori pagën në aksione dhe për kosto të tjera.

Në një letër drejtuar aksionerëve, ISS ka thënë se kishte "shqetësime domethënëse" mbi "dizajnin dhe madhësinë" e paketës. "Gjysmës së çmimit i mungojnë kriteret e performancës," ka thënë ISS.

Cook, 61 vjeç, i cili shpesh ka folur publikisht për shqetësimet e tij mbi barazinë dhe çështjet e të drejtave të njeriut, ka thënë në vitin 2015 se do të jepte të gjithë pasurinë e tij para se të vdiste.

Sipas ISS, paga e Cook ishte 1,447 herë më shumë se paga e një punonjësi mesatar të Apple.

Paketa e tij përfshinte 630,600 dollarë kosto sigurie personale dhe 712,500 dollarë për përdorim personal të një avioni privat. ISS ka thënë se kostoja e përfitimeve të tilla "tejkaloi ndjeshëm" kompanitë e krahasueshme vitin e kaluar.

Vitin e kaluar, një dosje e Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC) tregoi se Cook dhuroi pothuajse mbi 9 milionë euro të aksioneve të Apple për bamirësi, pa përmendur emrin e marrësit.

Kompania që qëndron pas iPhone, iPad dhe MacBook u bë kompania e parë që arriti një vlerë prej 3 trilion dollarësh në tregun e aksioneve në janar, përpara se të binte në vlerën e saj aktuale prej 2.8 trilion dollarësh.

Kthimet e aksionarëve janë tani më shumë se 1000% që kur Cook mori drejtimin në vitin 2011.

Apple do të mbajë mbledhjen e saj vjetore për aksionerët në javën e parë të marsit. Megjithatë, votat e aksionerëve janë vetëm këshilluese, ndërsa bordi i Apple vendos për paketat e pagave.

Në mbledhjen e vitit të kaluar, 95% e votave të aksionarëve mbështetën programin e kompensimit të ekzekutivit të Apple.