Plani i Samsungut ka marrë lëvdata prej disa investitorëve të tij duke përfshirë menaxherin holandez të fondit të pensioneve APG, i cili ka theksuar se kompania mund të japë potencialisht “kontribut të rëndësishëm” në pastrimin e tregut të energjisë elektrike të Koresë së Jugut, duke marrë parasysh ndikimin e tij në ekonominë kombëtare.
Samsung Eletronics po largohet nga karburantet fosile dhe po synon t’i fuqizojë plotësisht operacionet e saj globale me energji elektrike të pastër deri në vitin 2050, objektiv sfidues që ekspertët thonë se mund të pengohet nga angazhimet modeste të Koresë së Jugut për ndryshimin e klimës.
Samsung me bazë në Korenë e Jugut është prodhues kryesor i çipave të memories kompjuterike dhe telefonave inteligjentë dhe konsumatori i dytë më i madh i energjisë pas Walmartit në mesin e qindra kompanive globale që i janë bashkuar fushatës “RE100” për të marrë 100% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme si energjia e erës ose ajo diellore.
Në shpalljen e objektivit të saj kompania ka njoftuar se synon të arrijë zero emetime neto të karbonit në pajisjet e saj celulare, televizionet dhe divizionet e elektronikës së konsumit deri në vitin 2030, dhe në të gjitha operacionet globale, duke përfshirë gjysmëpërçuesit deri në vitin 2050.
Ajo planifikon të investojë 7 trilionë won (5 miliardë dollarë) deri në vitin 2030 në projekte që synojnë reduktimin e emetimeve nga gazrat e procesit, kontrollin dhe riciklimin e mbetjeve elektronike, ruajtjen e ujit dhe minimizimin e ndotësve. Kompania planifikon të zhvillojë teknologji të reja për ta reduktuar konsumin e energjisë në pajisjet elektronike të konsumit dhe qendrat e të dhënave, të cilat do të kërkonin çipa memorie më efikase. Ai gjithashtu do të vendosë synime afatgjata për të reduktuar emetimet në zinxhirët e furnizimit dhe logjistikën.
“Samsung po u përgjigjet kërcënimeve të ndryshimeve klimatike me një plan gjithëpërfshirës që përfshin reduktimin e emetimeve, praktikat e reja të qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e teknologjive dhe produkteve inovative që janë më të mira për planetin tonë”, ka thënë Jong-Hee Han, themelues i kompanisë.
Plani i Samsung-ut ka marrë lëvdata prej disa investitorëve të tij, duke përfshirë menaxherin holandez të fondit të pensioneve APG, i cili ka theksuar se kompania mund të japë potencialisht “kontribut të rëndësishëm” në pastrimin e tregut të energjisë elektrike të Koresë së Jugut, duke marrë parasysh ndikimin e tij në ekonominë kombëtare.
Sam Kimmins, drejtor i energjisë dhe kreu i RE100 në Climate Group me bazë në Londër, i cili drejton nismën e energjisë elektrike të pastër, ka theksuar se angazhimi i Samsung-ut do t’u dërgonte mesazh të tjerëve në treg se "është e mundur dhe kritike, të kalohet në 100 % e energjisë elektrike të rinovueshme.”
Megjithatë, APG-ja ka shprehur shqetësimin se njoftimi i Samsung-ut vjen në një kohë kur Koreja e Jugut është tërhequr nga objektivat e saj për ndryshimin e klimës.
Qeveria konservatore e presidentit Yoon Suk Yeol, i cili mori detyrën në maj, e ka fokusuar pjesën më të madhe të politikës së vet energjetike në promovimin e energjisë elektrike të prodhuar nga bërthama. E dëshpëruar për ta nxitur një ekonomi të dobët, qeveria e Yoon ka treguar gjithashtu ngurrim për ta reduktuar ndjeshëm varësinë e vendit nga thëngjilli dhe gazi, të cilat prodhojnë rreth 65% të energjisë elektrike të Koresë së Jugut.
Plani shtetëror
Koreja e Jugut mori 7.5% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme në vitin 2021, dukshëm më e ulët se mesatarja prej 30% midis vendeve të pasura që përbëjnë Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Qeveria e Yoon-it së fundmi e ka rregulluar objektivin e vendit për energjinë e rinovueshme në 21% të përzierjes totale të energjisë deri në vitin 2030, duke zbutur objektivin prej 30% të shpallur nga paraardhësi i tij liberal, Moon Jae-in.
Samsungu e ka pranuar se do ta kishte më të vështirë të konvertohej në burime të rinovueshme të energjisë elektrike në shtëpi sesa në operacionet e saj të jashtme, ku synon të arrijë në 100% energji të pastër deri në vitin 2027. Kompania ka njoftuar se furnizimet me energji të rinovueshme në Korenë e Jugut “kanë filluar të zgjerohen, por mbeten të kufizuara ”, ndërkohë që nevojat e saj për energji elektrike vazhdojnë të rriten ndërsa rrit prodhimin në linjat e saj gjysmëpërçuese vendase për të përmbushur kërkesat globale.
“Si një investitor afatgjatë në Kore, ne jemi të shqetësuar për mënyrën se si qeveria po planifikon të pajtojë nevojën e dëshpëruar të industrisë për energji elektrike të pastër për të qëndruar e rëndësishme në afat të gjatë," Yoo-Kyung Park, kreu i APG-së për investimet dhe qeverisjen e përgjegjshme në Azi Paqësor. , thuhet në një deklaratë.
Samsung, kompania më e madhe e Koresë së Jugut, ishte përballur me presion në rritje për të bërë më shumë për të reduktuar emetimet e saj të karbonit, pasi mbeti prapa disa prej kolegëve të saj në angazhimet për klimën. Këto kompani përfshijnë Apple, një blerës kryesor i çipave të Samsung-ut, i cili iu bashkua RE100 në 2016 dhe planifikon të jetë neutral ndaj karbonit në të gjithë zinxhirët e furnizimit të biznesit dhe prodhimit deri në vitin 2030, duke ushtruar presion mbi furnitorët e tij për t’i përmbushur këto kërkesa.
Samsung është xhevahiri i një ekonomie të varur nga eksporti, e drejtuar nga prodhimi i gjysmëpërçuesve, makinave, paneleve të ekranit, telefonave celularë dhe anijeve, industri që priren të kenë konsum të lartë energjie.
Samsung përdori 25.8 teravat orë energji elektrike për operacionet e saj vitin e kaluar, që ishte gati dyfishi i sasisë së konsumuar nga të gjitha familjet në kryeqytetin e Koresë së Jugut të Seulit dhe më shumë se gjigantët e tjerë globalë të teknologjisë si Google, Apple, Meta, Intel dhe Taiwan Semiconductor Manufacturing.
Synimi i energjisë elektrike të pastër nga Samsung mund të ketë efekte të rëndësishme të zinxhirit të furnizimit, duke i shtyrë kompanitë e tjera të rrisin furnizimet e tyre me energji të rinovueshme, ka bërë të ditur Ousam Jin nga Fondacioni i Korporatave të Energjisë së Rinovueshme me bazë në Seul.
“Me kuptimin më të madh, angazhimi i Samsung RE100 dërgon sinjal të fortë për tregun e energjisë së rinovueshme dhe politikëbërësit për të rritur furnizimin me energji të rinovueshme duke marrë parasysh përdorimin masiv të energjisë elektrike të kompanisë”, ka theksuar Jin.
Përktheu: Blerta Haxhiu