Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Rusia planifikon ta lansojë rivalin e Google Play-it

Rusia është duke krijuar një rival të shërbimit të dyqanit online Google Play, të cilën po planifikon ta lansojë më 9 maj, në “Ditën e Fitores” në Rusi, ka thënë të martën organizata që qëndron pas kësaj nisme.

Youtube dhe Google Play këtë muaj kanë pezulluar të gjitha shërbimet që mund të paguhen në Rusi, duke përfshirë abonimet, pasi sanksionet perëndimore ndaj Rusisë kanë filluar të paraqesin sfida bankare në këtë vend, raportoi Reuters.

“Fatkeqësisht, rusët nuk mund të përdorin më Google Play për të blerë aplikacione dhe zhvilluesit kanë humbur burimin e tyre të të ardhurave”, ka thënë Vladimir Zykov, drejtor i projekteve në Digital Platforms, një organizatë e fokusuar në zhvillimin digjital. “Kjo është arsyeja pse ne kemi krijuar një dyqan aplikacionesh ruse të quajtur NashStore”, ka përfunduar Zykov deklaratën e tij.

Sipas njoftimit, NashStore (OurStore në anglisht) – që në shqip nënkupton “Dyqani ynë” – do të shërbejë për pajisjet mobile Android dhe duhet të jetë në përputhje me kartat bankare ruse Mir.

Rusia tradicionalisht mban një shfaqje patriotike të fuqisë së papërpunuar ushtarake më 9 maj me një paradë që kalon nëpër Sheshin e Kuq të Moskës duke përkujtuar përvjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore.