Tech

Redmi prezanton televizorin e vet të parë smart

Nën-brendi i Xiaomit, Redmi, ka hyrë në një segment të ri të tregut, me pajisjen e parë të mençur televizive. Drejtori ekzekutiv i Redmi, Lu Weibing, gjatë prezantimit përkatës të linjës së telefonave Redmi Note 8, e shfaqi edhe televizorin e parë të mençur të kompanisë, raporton Engadget.

Modeli i parë i kompanisë në këtë segment quhet thjesht Redmi TV 70", dhe bëhet fjalë për një TV 70 inçësh 4K i cili punon falë procesorit të gjeneratës së gjashtë Amlogic. TV i ka 2 GB RAM, 16 GB hapësirë për ruajtje dhe WiFi dual-band 2.4G/5G, shkruan KOHA Ditore. Televizori nuk ka mundësi HDR (është i mundur vetëm dekodimi HDR në nivel të çipsetit), por këto janë mundësi të zakonshme të TV të mençur. TV e përdor sistemin PatchWall AI dhe asistentin e mençur XiaoAI.

Televizori Redmi TV 70" aktualisht është në dispozicion në Kinë, me një çmim prej rreth 530 dollarësh. Tani për tani nuk dihet se kur do të paraqitet në tregjet e tjera, por pritet të jetë në dispozicion në vendet në zhvillim për shkak të rangut të tij të çmimit.