Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Publikohen specifikat kryesore dhe renderët e Honor 20

Në fillim të janarit, Honor e prezantoi View 20, ndërsa së shpejti na pret telefoni premium pa pjesën "View" në emërtim. Sipas të dhënave nga informuesi nga Kina, Honor 20 pritet së shpejti dhe do ta ketë një kamerë 48MP dhe një ekran 6.1 inçësh OLED, raporton GSMArena.

Honor 20 do ta ketë çipsetin Kirin 980, së bashku me 6GB ose 8GB RAM, dhe do t’i ketë 128GB ose 256GB hapësirë për ruajtje. Meqë është pjesë e grupit Huawei, Honor pritet që në telefon t’i instalojë karakteristikat Gaming+, Link Turbo, CPU Turbo dhe GPU Turbo, të cilat e përmirësojnë më tej performancën e telefonit.

Sa i përket sistemit me tre kamera, i pranishëm është sensori kryesor 48MP, i cili plotësohet nga kamerat 20MP dhe 8MP. Sipas informatave të informatorit, kamera do të duhej ta arrijë një rezultat të DxOMark prej 108 pikësh, gjë që Honor 20 do ta radhiste menjëherë pas modeleve Mate 20 dhe Galaxy S10+, shkruan KOHA Ditore.

Honor 20 do të furnizohet nga bateria 3650mAh me opsionin e mbushjes 22.5W SuperCharge. Pritet edhe Android Pie me interfejsin EMUI 9.0, një numër i madh funksionesh AI dhe sensori për gjurmë gishtash nën ekran.