Tech

Për shkak të kritikave të forta, video-loja “Active Shooter” nuk do të publikohet

Pas kritikave të forta nga nxënësit që i kanë mbijetuar sulmit me armë në shkurt të këtij viti në Shkollën e Mesme Marjory Stoneman Douglas dhe prindërve e tyre, një lojë në video e quajtur “Active Shooter” nuk do të publikohet më 6 qershor në “Steam”, një platformë video-lojrash në internet.

Loja, e prodhuar nga kompania Revived Game me qendër në Rusi, u lejon lojtarëve të veprojnë si anëtarë të ekipit të policisë speciale SWAT ose një sulmues i armatosur në një platformë dixhitale të quajtur Steam, raporton VoA.

“Nëse vazhdojmë të shohim se ka njerëz që janë në gjendje të krijojnë një video-lojë me këto imazhe dhe me këto tema, ne do të vazhdojmë të shohim këto rezultate fatale në shkollat tona dhe në çdo pjesë të botës”, ka thënë Laura Guariguata, nëna e nxënëses 17 vjeçare Daniela Menescal, e cila i mbijetoi sulmit në Parkland. Guariguata u përpoq të shikonte një video të shkurtër demonstruese të lojës, por pas 40 sekondash ajo nuk mundi të vazhdonte.

“Unë besoj në një botë pluraliste dhe me liri të shprehjes. Por ju e dini se vdekja është e dhimbshme dhe unë besoj se këta njerëz nuk kanë përjetuar atë lloj dhimbjeje”.

Në një deklaratë të botuar nga Valve, kompania e lidhur me platformën online Steam, zëdhënësi Doug Lombardi tha se prodhuesi i lojës është ndaluar dhe është përshkruar si “një nxitës i urrejtjes, me një histori abuzimi me klientët, shkeljen e të drejtës së autorit dhe manipulimin e komenteve të përdoruesve”.

Sipas psikologes Cristina Balinotti, kjo nuk është hera e parë që një lojë si kjo është hedhur në treg. Pas sulmit me armë në shkollën Sandy Hook në vitin 2012, u krijua një lojë e ngjashme.

“Kjo mund të shihet si një falje për dhunën dhe krimin. Ajo disi mbrohet nga Kushtetuta, sepse liria e shprehjes nuk mund të kufizohet. Por unë mendoj se duhet të bëjmë shumë gjëra në lidhje me mbrojtjen e familjes, për të parandaluar përhapjen ose komercializimin e këtij fenomeni”, thotë psikologia Cristina Balinotti.

Peticionet online dhe aktivizmi në Twitter kontribuuan në parandalimin e hedhjes në treg të video-lojës. Zëdhënësi i kompanisë Valve, Lombardi, tha gjithashtu se kompania e tij do të diskutojë përmbajtjen e lojës në video me drejtuesit e platformës Steam.