Disa studime kanë treguar tashmë se telefonat e mençur perceptohen si shtesa apo zgjatime të trupit tonë dhe ne i bartim ata nga shtrati deri në tualete.
Studimi global i prezantuar kohët e fundit ka treguar gjithashtu se njerëzit kanë nevojë për më shumë ekuilibër mes telefonit dhe jetës reale. Studimi i titulluar "Phone-Life Balance Study" u zhvillua në partneritet mes Motorola dhe dr. Nancy Etcoff, eksperte në fushën e sjelljes të lidhur me aktivitetin tru-mendje dhe shkencën e lumturisë (Mind-Brain Behavior and the Science of Happiness) në universitetin e Harvardit.
Studimi ka treguar se njerëzit u japin më shumë përparësi telefonave të tyre në krahasim me të dashurit e tyre, ndërkohë që më alarmant është fakti i lidhur me gjeneratat e reja që po rriten në botën digjitale, transmeton koha.net.
Madje një e treta e të anketuarve e vendosën telefonin e mençur përpara shoqërimit me të dashurit e tyre. Për ta më e rëndësishme është të "shoqërohen" me telefona të mençur sesa me familjen, miqtë, fëmijët ose partnerët.
Problemi i varësisë së tillë është më i theksuar në "gjeneratën Z", përfaqësuesit e së cilës në më shumë se 50 për qind të rasteve e quajnë smartphonin e tyre "shokun e tyre më të mirë".
Edhe
Varësia nga celularët shkakton depresion dhe ankth
Megjithatë, njerëzit janë të vetëdijshëm për varësinë dhe nevojën për një marrëdhënie më të ekuilibruar mes botës reale dhe telefonave mobilë. Kështu, 61 për qind e tyre e duan një ekuilibër më të mirë dhe një jetë më të mirë kur nuk e përdorin telefonin. Pothuajse i njëjti numër i të anketuarve mendon se është e rëndësishme ta kesh një jetë edhe kur nuk jeni "në një telefon të mençur".
Megjithëse studimi e ka zbuluar një sërë sjelljesh problematike që lidhen me përdorimin e tepruar të telefonave të mençur, tre prej tyre shquhen veçanërisht, transmeton koha.net.
Verifikimi kompulsiv i telefonit është i pranishëm në pothuajse gjysmën e të anketuarve.
Koha e shumtë e kaluar duke e përdorur telefonin e mençur është një problem për më shumë se një të tretën e të anketuarve. Këta të anketuar mendojnë se do të ishin më të lumtur sikur ta kalonin kohën e tyre pa telefon të mençur.
Varësia emocionale është problemi më i madh që lidhet me përdorimin e tepruar të një telefoni të mençur. Madje 65 për qind e të anketuarve ndjejnë "panik" kur nuk e kanë telefonin e mençur pranë vetes dhe një e treta e pranon se edhe kur nuk përdorin telefon të mençur, ata mendojnë se kur duhet ta përdorin përsëri.
Pikërisht për shkak se me përdorimin e telefonit të mençur janë të lidhura emocionet si lumturia dhe kënaqësia, është e vështirë t’i ndryshosh shprehitë e "këqija". Nxitjet e sjelljes, kontrolli hapësinor dhe vetëdija kanë të ngjarë të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të varësisë, beson dr. Etcoff.
Edhe
Varësia nga telefonat e mençur një problem shqetësues te të rinjtë
Një nga ndihmat e mundshme është aplikacioni SPACE, i cili "të varurit" i ballafaqon me një program 60-ditor për t’ua rritur ndërgjegjësimin për sasinë e përdorimit të telefonave të mençur. Me ndihmën e këshillave të thjeshta, SPACE mund të mësojë se si ta rikthejë ekuilibrin midis jetës reale dhe telefonave të zgjuar.
Mund të jetë paksa ironike që një vetëdijesim i caktuar për varësinë nga telefoni të kryhet në po të njëjtin telefon, por nëse i ndihmon njerëzit, pse jo...