Meta, kompania mëmë e Facebookut, raportoi të ardhura prej 28.8 miliardë dollarësh për tre muajt (prill, maj, qershor), një rënie prej 1% nga tremujori i vitit të kaluar dhe rënie e parë e të ardhurave që kur këto të dhëna janë publike më 2012, shkruan CNN.
Fitimi i kompanisë ra shumë më tepër. Të ardhurat neto gjatë tremujorit ranë me 36% nga viti në vit në gati 6.7 miliardë dollarë, një ndryshim i madh nga viti i kaluar kur fitimi i saj u dyfishua. Meta raportoi një rënie prej 14% nga viti në vit në çmimin mesatar për reklamë, një shenjë shqetësuese pasi kërkesa për reklama në internet bie për shkak të krizës ekonomike.
Numri i përdoruesve aktivë mujorë në aplikacionin Facebook gjithashtu ra pak nga tremujori i parë i vitit 2022, nga 2.936 miliardë në 2.934 miliardë.
Në një konferencë, shefi i Meta, Mark Zuckerberg, tha se rënia ishte e pritshme dhe ia atribuoi atë "blloqeve të internetit që lidhen me luftën në Ukrainë".
"Numri i njerëzve që përdorin Facebookun çdo ditë vazhdon të rritet", tha ai.
Rezultatet e Metas pasojnë javë të tëra raportesh se kompania do të kërkojë rritjen e produktivitetit të punonjësve që të përballojë periudhën e ngadalësimit të rritjes dhe konkurrencës së ashpër nga rivalët e rinj si TikToku.
Zuckerberg u ka bërë të qartë punëtorëve se “kjo mund të jetë një nga rëniet më të këqija që kemi parë në historinë e fundti”.
Megjithatë, rënia e shitjeve të kompanisë pritet të vazhdojë edhe në tremujorin e ardhshëm. Meta ka thënë se pret që të ardhurat për tremujorin aktual të jenë midis 26 dhe 28.5 miliardë dollarë. Edhe në nivelin më të lartë, kjo do të shënonte një rënie prej 1.76% nga viti i kaluar.