Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Opera Touch bëhet me dy përmirësime interesante

Kompania “Opera Software” e ka publikuar një azhurnim të ri për browserin e vet Opera Touch për pajisjet mobile. Me azhurnimin më të fundit, përdoruesit mund t’i shikojnë tabet në kuadër të Fast Action Button, dhe është e mundur fikja e ad blockerit të integruar për sajte të caktuara, raporton Neowin.

Opera Touch në pjesën e poshtme të browserit e ka Fast Action Button, i cili është lehtësisht i qasshëm dhe përfshin skanerin e kodeve QR, butonin për kërkim të uebit dhe të gjitha tabet e hapura, shkruan KOHA Ditore. Për ta lehtësuar punën, Opera Touch tani mundëson që përdoruesi ta lëvizë gishtin mbi tabin e flluskës dhe të shikojë se çfarë është e hapur në secilin tab. Lëvizja e gishtit nëpër zonën e tabit nga ana e djathtë e jep një pasqyrë të tabeve të hapura së fundi.

Ndryshimi i dytë i madh në këtë azhurnim është mundësia që në listën e miratuar të shtohen sajtet specifike nga ad blockeri i integruar, gjë që ia jep përdoruesit një mënyrë të lehtë për ta mbështetur financimin e sajtit nëse dëshiron. Gjithashtu, ky është një opsion i dobishëm nëse hasni në ndonjë sajt që ju detyron ta aktivizoni shfaqjen e reklamave për ta vizituar sajtin.

Nëse dëshironi të provoni funksione të reja, do t'ju duhet Opera Touch 1.10.0 për iOS ose Opera Touch 1.20.0 për Android.