Kompania amerikane për inteligjencë artificiale, OpenAI, e ka emëruar drejtor të përkohshëm një nga themeluesit e rrjetit social Twitch, Emmett Shear. Këtë pozitë deri të hënën e mbante shqiptarja Mira Murati, që të shtunën e mori detyrën kur bordi i kompanisë e largoi Sam Altman për shkak të mosbesimit.
Ai ka shkruar në rrjetin social X se pranoi një telefonatë për ta shqyrtuar marrjen e kësaj pozite, ndërsa ka theksuar se atë e pranoi “pasi u konsultua me familjen”.
“Së fundmi kisha dhënë dorëheqje nga roli im CEO i Twitch për shkak të lindjes së djalit tim, tash nëntë muajsh. Të kalosh kohë me të ka qenë po aq shpërblyese dhe me kënaqësi po shmangia punësimin me kohë të gjatë. E mora këtë punë sepse besoj se OpenAI është një nga kompanitë më të rëndësishme që ekziston aktualisht. Kur bordi tregoi për situatën dhe më kërkoi të merrja detyrën, s’e mora me lehtësi vendimin. Në fund, ndjeva se e kisha për detyrë të ndihmoja, nëse mundja”, ka shkruar Shear.
Ai ka theksuar se punonjësit e OpenAI janë “jashtëzakonisht mbresëlënës”, derisa ka folur se ka në plan të zhvillojë kompaninë nëpërmjet disa pikave.