Google e ka mbajtur një kohë të gjatë lidhjen opsionale midis Google Drive dhe Google Photos, por si duket ky funksion do të hidhet poshtë. Sipas Google, shumë shfrytëzues besojnë se lidhja ndërmjet këtyre shërbimeve është konfuze, dhe në të ardhmen mund të pritet një eksperiencë e thjeshtuar, raporton Android Police.
Nga muaji i ardhshëm, fotot dhe video materialet e reja të cilat shtohen në Drive nuk do të shfaqen automatikisht në seksionin Photos. Gjithashtu, përmbajtja e uploaduar në Photos nuk do të shfaqet në interfejsin Drive. Nëse në njërin lokacion fshihen fajllat, ato nuk do të zhduken edhe në lokacionin tjetër.
Google thekson se aplikacioni Backup and Sync ende do të mund të uploadojë foto në të dyja shërbimet. Cilado foto që sinkronizohet mes shërbimeve, para këtij ndryshimi, do të mbetet në të dyja vendet. Nëse përdoruesi me të vërtetë dëshiron t’i bartë fotot dhe videot në mes Drive dhe Photos, Google do ta ketë opsionin e ri në Photos me emërtimin "Upload from Drive", shkruan KOHA Ditore.
Kjo do ta mundësojë përzgjedhjen manuale të fotove në Drive të cilat mund të futen në Photos.