Shërbimi amerikan i transmetimit, Netflix, ka rënë dakord të zgjidhë një mosmarrëveshje tatimore me Italinë, thanë kompania dhe burime ligjore të premten, shkruan Reuters.
Prokurorët e Milanos lëshuan një deklaratë duke thënë se ata ishin pajtuar me një kompani shumëkombëshe të transmetimit të videove sipas kërkesës për një periudhë që përfshin tetorin 2015 deri në 2019 dhe i kërkuan asaj të paguante 55.8 milionë euro.
Ata dhanë shifrën e dënimit, por pa përmendur në mënyrë specifike emrin e kompanisë së përfshirë, por Reuters nga burimet e veta ka marrë vesh se bëhet fjalë për Netflixin.
Një zëdhënës i Netflixit ka thënë se kompania ishte e kënaqur që çështja do të finalizohej.
“Ne kemi mbajtur dialog dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet italiane dhe vazhdojmë të besojmë se kemi vepruar në përputhje të plotë me rregullat italiane dhe ndërkombëtare”, shtoi zëdhënësi.
Prokurorët kishin hapur hetim për evazion fiskal të mundshëm tre vjet më parë.
Ata pretenduan se Netflixi duhet të kishte paguar taksa në Itali, sepse mbështetej në infrastrukturën digjitale për të transmetuar përmbajtje për dy milionë përdorues në vend.
Si sfond për marrëveshjen e pagesës, Netflix tani ka hapur një zyrë në Itali, duke ngritur një bazë në Romë dhe duke punësuar më shumë se 40 punonjës.
Hetimi nga prokurorët e Milanos, të cilët argumentuan se kabllot dhe serverët kompjuterikë të përdorur nga Netflix përbënin prani fizike në Itali, ishte shkaktuar nga kontrollet e kryera nga policia tatimore e Italisë.
Prokurorët e Milanos në të kaluarën kanë hetuar gjigantë të tjerë të teknologjisë amerikane si Apple, Amazon dhe Facebook për shmangie nga taksat, duke lejuar Italinë të fitojë disa miliardë euro në gjoba dhe pagesa taksash.