Roveri i ri i NASA-s i cili është planifikuar të aterojë në Mars në shkurt të vitit 2021 ende nuk ka emër, ndërsa agjensia hapësinore amerikane ka kërkuar nga studentët që ta zgjedhin një.
Për ta tërhequr interesimin për misionin dhe për t’i frymëzuar studentët që ta studiojnë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën, ose çfarëdo që e mundëson eksplorimin e hapësirës, NASA po e sponsorizon garën e quajtur Name the Rover, shkruan KOHA Ditore. Gara është e hapur për studentët nga shkollat publike, private dhe shtëpiake të Amerikës, ndërsa fokusi është në një ese në të cilën studentët e emërtojnë roverin dhe i shpjegojnë arsyet për atë emër përkatës.
Mjafton të vizitohet sajti Name the Rover Challenge dhe të klikohet në Student and Teacher Signup, ndërsa më vonë do të vlerësohen rëndësia dhe origjinaliteti i emërtimit dhe esesë.
Emërtimi i roverit nuk duhet të jetë më i gjatë se 50 karaktere ndërsa eseja nuk duhet t’i përmbajë më shumë se 150 fjalë. Një student mund ta paraqesë një emërtim dhe ese. Emërtimi nuk mund të jetë i njëjtë me misionet e mëparshme hapësinore ose programin e fluturimit të NASA-s. Nëse doni ta përdorni emrin e personit të vërtetë, ai duhet të jetë një person që ka vdekur tashmë.
Afati për pjesmarrje është 1 nëntori, ndërsa finalistët do të shpallen publikisht dhe do të jenë në dispozicion për t'u votuar në janar të vitit 2020. Ata që nuk janë studentë, por duan të marrin pjesë mund të ndihmojnë si gjyqtarë.