Të martën mbrëma, Twitteri zyrtarisht e paditi shefin e Teslas, Elon Musk, duke ia shtuar presionin që ta blejë patjetër rrjetin social. Kjo kompani po i kërkon gjykatës amerikane në Delaware të nxjerrë një “vendim specifik”, bazuar në kontratën që ka me Muskun, që ky ta finalizojë marrëveshjen e nisur muaj më parë, shkruan Reuters të mërkurën.
A mund gjykata ta urdhërojë Muskun për blerje?
Institucionet e drejtësisë në SHBA, kanë nxjerr vendime për çështje të tilla. Në 2001-n, përpunuesi i pulave, Tyson Foods, u urdhërua që ta mbyllte marrëveshjen me paketuesin e mishit IBP, duke e detyruar që t’i japë 3.2 miliardë dollarë për blerje. Vitin e kaluar, gjykata urdhëroi firmën private Kohlberg & CO, që ta blejë kompaninë DecoPac Holding, që merret me dekorimin e ëmbëlsirave. Kjo u vendos pasi kompanitë kishin marrëveshje paraprake.
Por urdhra të tillë janë lëshuar për kompani, jo për individë. Deri më tani, asnjëherë nuk është lëshuar ndonjë vendim i tillë gjyqësor për individë që hoqën dorë në moment të fundit për blerje të ndonjë kompanie.
Beteja ligjore mes Muskut dhe Twitterit do të zhvillohet në Gjykatën e Delawares, që specifikisht merret me marrëveshjet e blerjeve që kanë “mosmarrëveshje”.
Rezistenca e Musk ndaj blerjes, mund t’i kushtojë kompanisë së tij të veturave, Tesla, me ngrirje të aseteve. Fillimisht, sipas avokatëve që e kanë çështjen e Twitterit, Gjykata mund ta gjobisë Muskun në mënyrë që “ta bindë” që ai ta finalizojë marrëveshjen.
Edhe
Elon Musku humb betejën ligjore me OpenAI
“Gjykata ka kompetenca të mëdha për t’i zbatuar urdhrat e saj", tha Francis Pileggi, një avokat në Delaware.
Në rast se Musk vazhdon t’i injorojë vendimet e gjykatës, institucioni që ndan drejtësi mund ta urdhërojë Teslan dhe kompanitë e tjera të inkorporuara në Delaware, t’i ngrijnë ose t’i dorëzojnë asetet.
Profesoresha e Shkollës Juridike në Universitetin “Tulane”, Ann Lipton, tha se ka shumë shembuj kur individë kanë kundërshtuar vendime të gjykatave, me qëllim që të shkohet në apel, por që përfundimisht “u binden urdhrave”. Siç tha ajo, edhe Musk do ta bëjë këtë.