Pronari i Twitterit, Elon Musk, ka njoftuar të shtunën se një abonim me çmim më të lartë të kësaj platforme të rrjeteve sociale, nuk do të ketë reklama, raportoi Reuters të dielën.
Miliarderi bëri të ditur gjithashtu se reklamat janë shumë të shpeshta në Twitter dhe se do të ndërmerren hapa për ta adresuar këtë çështje gjatë javëve të ardhshme.
Twitteri fiton gati 90 për qind të të ardhurave të tij nga shitja e reklamave digjitale, teksa Musku kohët e fundit për rënien masive të të ardhurave, ia vuri fajin organizatave të të drejtave, të cilat u kanë bërë presion markave të ndalojnë reklamat e tyre në Twitter.
Gjatë muajit dhjetor, Musku ka njoftuar se Twitteri do të ketë gjysmën e numrit të reklamave që ka aktualisht dhe se do të ofrojë një nivel më të lartë pa reklama deri në vitin 2023.