Tech

MSI prezanton tri pllaka amë TRX40

Kompania MSI i ka paralajmëruar tre pllaka amë TRX40, të destinuara për gjeneratën e tretë të procesorëve Threadripper. Pllakat janë të destinuara për profesionistët dhe krijuesit dhe i përfshijnë modelet Creator TRX40, TRX40 PRO 10G dhe TRX40 PRO WIFI, raporton KitGuru.

MSI Creator TRX40 është modeli premium në këtë ofertë, ndërsa kompania thekson se pllaka amë vjen me zgjidhje të re për ftohje, me një përçues të madh të nxehtësisë VRM. Heatsinku dhe ventilatori frozr janë përdorur për ftohje të çipit, ndërkohë që e pranishme është edhe mbrojtja për harduerin on-board për zë dhe M.2 Shield të dyfishtë, e cila e mban nën kontroll temperaturën e SSD.

Linjat PCIe 4.0 të MSI-së ofrojnë trafik të të dhënave prej 64 GB/s, duke mundësuar mjaft mbështetje për SSD-të PCIe 4.0, shkruan KOHA Ditore. Përveç kësaj, kartela add-in M.2 XPANDER-AERO e ofron opsionin e lidhjes së katër SSD-ve M.2 në një kartelë të vetme, me shpejtësi të bartjes së të dhënave prej 64 GB/s.

Image

VRM i përdor 16 faza, ndërkohë që po kthehet edhe funksioni MSI Core Boost. Në fund, Creator TRX40 i ka 19 porte USB, dy porte LAN (duke përfshirë lidhjen 10G Super LAN), si dhe mbështetjen Wi-Fi 6.

TRX40 PRO 10G dhe TRX40 PRO WIFi janë pllaka amë shumë të ngjashme. Përsëri ofrohet kartela M.2 XPANDER për SSD, zgjidhja e re për ftohje për pllakat. Dallimet janë se PRO 10G ofron 10G LAN, ndërsa PRO WIFI ka lidhje on-board Wi-Fi 6.

Image

Çmimi i pllakave amë MSI TRX40 nuk është paralajmëruar, ndërsa në shitje do të duhej të dalin më vonë gjatë muajit.