Shkencëtarët spanjollë kanë zbuluar se mostrat e ngrira të spermatozoideve janë ende të përdorshme edhe pas fluturimit të simuluar hapësinor, raporton CNN.
Studimi i vogël preliminar, i prezantuar në Shoqatën evropiane për riprodhimin dhe embriologjinë njerëzore në Vjenë, i cili u iniciua të dielën e kaluar, i ekspozoi mostrat e spermës njerëzore ndaj mikrogravitetit.
Në mikrogravitet, i cili ndonjëherë quhet edhe zero gravitet, mbizotërojnë efekte të kufizuara të gravitetit dhe objektet duket të jenë të papeshë. Mostrat pastaj u analizuan për përqendrimin, lëvizshmërinë, vitalitetin, morfologjinë dhe fragmentimin e ADN-së.
Hulumtuesit zbuluan se nuk kishte pothuajse fare dallim midis spermatozoideve të grupit të kontrollit në Tokë dhe spermatozoideve që ishin ekspozuar ndaj mikrogravitetit, shkruan KOHA Ditore.
Shkencëtarët i ekspozuan spermatozoidet ndaj mikrogravitetit për disa sekonda njëkohësisht, duke i bartur mostrat për këtë testim në një fluturake të vogël aerobatike. Shkencëtarët vendosën t’i përdorin spermatozoidet e ngrira, sepse rrezatimi mund të ndikojë në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e mostrës së freskët.
Ekspertët nga Barcelona, të cilët i prezantuan rezultatet, theksuan se studimi ishte vetëm preliminar dhe se kërkon punë të mëtejshme. Ata tani do të kalojnë në analizën e mostrave më të mëdha, në periudha më të gjata të mikrogravitetit dhe do të përdorin spermatozoide të freskëta në vend të atyre të ngrira.
-
Ajri i ndotur ndikon për të keq në funksionimin e gjeneve në spermë
-
Shkencëtarët krijojnë një embrion njerëzor pa vezore, spermatozoide apo fertilizim
-
Robotët e gjallë tani edhe mund të riprodhojnë
-
Studimi i ri ofron vështrimin e rrallë të fazës së hershme të zhvillimit të njeriut
-
Studimi i fundit thotë se COVID-19 mund të ndikojë në riprodhim tek meshkujt