Tech

Moska i kërkon Applet shpjegim për heqjen nga App Store të aplikacionit rus

Rregullatri rus i komunikimeve ka kërkuar të mërkurën shpjegim nga Apple për heqjen e aplikacioneve të kontrolluara nga Rusia (VK) nga App Store, shkroi Reuters.

Rregullatori Roskomnadzor, ka thënë se ky veprim i Applet ka privuar miliona rusë nga qasja në aplikacionet VK dhe kërkoi që kompania ta shpjegonte këtë vendim.

VK përfshin Vkontaktin, platformë që e përdorin mbi 75 milionë përdorues në Rusi, e që shpesh krahasohet me Facebookun.

Derisa tha se i ndjek ligjet në juridiksionet ku operon kompania, Apple shtoi se aplikacionet në fjalë po shpërndaheshin nga zhvillues të kontrolluar nga parti të sanksionuara nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Drejtori i Përgjithshëm i VK-së, Vladimir Kiriyenko, është i sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar, bashkë me babanë e tij, Sergei Kiriyenko, i cili shërben si zëvendësshef i parë i kabinetit të presidentit Vladimir Putin.

Roskomnadzor i quajti kufizimet diskriminuese dhe tha se ato shkelin të drejtën e përdoruesve rusë të internetit për informacion dhe komunikim falas.