Tashmë disa vite Microsofti ka punuar për ta rritur angazhimin e vet në fushën e gamingut. Iniciativat si Play Anywhere kanë mundësuar publikime ekskluzive në të dyja platformat, me ruajtje të ndërsjellë në lojëra. Buildi më i ri Windows Insider na jep një pasqyrë në atë që po përgatiet në këtë fushë, përcjell KitGuru.
Më herët këtë vit, Microsofti e ofroi State of Decay falas për ata që e testuan buildin më të ri Windows Insider. Zakonisht, PC lojërat e Microsoftit tërheqin resurse nga serveri i Windows 10, por ky version i State of Decay vjen nga serveri i Xbox. Në disa javët e fundit, shumë shfrytëzues janë marrë më thellë me këtë çështje, duke zbuluar më shumë detaje rreth GameCore, funksionin e ardhshëm për Windows 10.
Një pjesë e GameCore do të ketë kompatibilitet për disa tipare të Xbox që vijnë në PC. Kjo i përfshin disa drajverë, si Microsoft Gaming Filesystem dhe filter drajveri Microsoft Gaming Install. Të dy këto sisteme e përdorin Xbox One për t’i instaluar dhe ekzekutuar lojërat, shkruan KOHA Ditore.
Microsofti si duket po planifikon ta sjellë instalimin e plotë dhe funksionet e shërbimit nga Xboxi në Windows. Kjo do t'u mundësojë kompjuterëve t’i lexojnë formatet e fajllave të Xbox, ndërsa ndërkohë janë ndërmarrë hapa për t'ia mundësuar përdoruesve që të shkarkojnë përmbajtje nga serveri Xbox. Ideja është që kompjuteri të jetë plotësisht kompatibil me lojërat dhe shërbimet Xbox, duke u dhënë përdoruesve qasje në një bibliotekë më komplete nëpërmjet PC-së dhe Xbox-it, pa nevojën për dy versione të veçanta të lojës.
Është pozitive që ky hap me të vërtetë do t’i kombinojë ekosistemet Xbox/PC, duke ia dhënë Microsoftit një bazë më të madhe instalimi për azhurnimin dhe ofrimin e lojërave të ardhshme. Megjithatë, mbetet pikëpyetja se si do të funksionojë e gjithë kjo. A do të kenë lojërat Xbox në PC opsione grafike? Mbështetje për mouse/tastierë? Kufizim të framerate-it etj.