Tiranë, 24 prill - Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, gjatë muajit prill ka zhvilluar një sërë aksionesh kontrolli kundër fenomenit të piraterisë televizive.
“Në zbatim të Ligjit nr 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”,i ndryshuar, AMA ka ushtruar në total mbi 30 kontrolle inspektimi në zonat ku ka pasur informacion për pirateri televizive”, bën të ditur njoftimi për shtyp i AMA.
Sipas saj, këto kontrolle janë ushtruar kryesisht në qarqet Korçë, Dibër, Fier, Elbasan, Vlorë dhe do të vijojnë edhe në zonat e tjera të vendit.
“Gjatë kontrolleve të ushtruara kanë rezultuar katër subjekte që ushtronin aktivitet të pa autorizuar nga AMA. Ndaj këtyre subjekteve është bërë sekuestrimi i pajisjeve dhe në dy raste është proceduar edhe me masën administrative gjobë në vlerën 5 milionë lekë.
Ndaj shtatë subjekteve të pajisura me autorizim, por që transmetonin programe pa të drejtë transmetimi është marrë masa administrative gjobë me vlerë nga 1 deri në 2 milionë lekë”, nënvizohet në njoftim.
AMA sqaron se ndaj subjekteve të tjera ka vijuar kontrolli për verfikimin e kontratave të transmetimit.
AMA gjen rastin të apelojë të gjithë subjektet audiovizivë që të respektojnë kontratat e lidhura me mbajtësit e të drejtave si dhe të respektojnë zonat e ofrimit të shërbimit për të cilat gëzojnë autorizim prej saj.
“Autoriteti është i vendosur që t’i japë fund këtij fenomeni negativ i cili dëmton subjektet private, buxhetin e shtetit si dhe konkurrencën e ndershme në tregun audioviziv. AMA njofton të gjithë palët që ky angazhim do vijojë në mënyrë të pandërprerë”, përfundon njoftimi i AMA/ ATSH.