Kandidatët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të testohen nga pulsi i tensionit të gjakut përmes “makinës të së vërtetës”.
Ndërsa në Ministrinë e Brendshme janë diplomuar 5 poligrafët e parë të cilët janë trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mënyrën e përdorimit të makinës të së vërtetës. Të 5 poligrafët do të përdorin pajisjet poligrafike te kandidatët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Si funksionon “Makina e së vërtetës”
Kjo makinë do të masë ndryshimin e trupit gjatë përgjigjeve për pyetjet me po ose jo. Mësohet se disa fisha do të lidhen në trup, ku përmes tyre do të transmetohet informacioni në kompjuter e më pas bëhet vlerësimi nëse personi po gënjen apo po thotë të vërtetën.
Më konkretisht, përmes një fasë të vendosur në krah, matet presioni i gjakut nga pulsi, si dhe tensioni i gjakut.
Në pjesën e gjoksit dhe në bark vendosen tuba gome të cilat do të regjistrojnë frymëmarrjet. Ndërsa ekspertët thonë se kjo pajisje ka një shkallë saktësie që varion nga 85 në 95%. Për të nxjerrë rezultatet, kësaj pajisjeje i duhen rreth 3 orë.
“Poligrafi është një detektor që është krijuar për të dalluar gënjeshtrën. Specialistët shpjegojnë se është një pajisje ose procedurë që mat dhe regjistron disa indikatorë fiziologjikë, siç janë presioni i gjakut, pulsi, frymëmarrja dhe përçueshmëria e lëkurës ndërsa një person pyetet dhe i përgjigjet një serie pyetjesh. Ekspertët thonë se suksesi në përdorimin e poligrafit është në prodhimin e përgjigjeve fiziologjike që krijon trupi, në rast se personi që i nënshtrohet testit është duke gënjyer. Sidoqoftë, thonë kritikët, nuk ka reaksione specifike fiziologjike që lidhen me gënjeshtrën, duke e bërë të vështirë për të identifikuar faktorët që ndajnë gënjeshtarët nga personat që tregohen të vërtetë. Ekzaminuesit e poligrafit preferojnë të përdorin metodën e tyre individuale të pikëve, në krahasim me teknikat e kompjuterizuara, pasi ata mund të mbrojnë më lehtë vlerësimet e tyre”, shpjegojnë ekspertë të poligrafisë.