Pronari i Yandex, i referuar shpesh si “Google i Rusisë”, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga vendi i origjinës.
BBC-ja ka shkruar se kompania e saj bazë në Holandë i ka shitur aksionet në Rusi për 5.2 miliardë dollarë, një shumë tejet e ulët nga vlera e saj bazuar në tregun ndërkombëtar.
Shitja te një ekip investitorësh do të nënkuptojë se biznesi rus i Yandex tash është ent plotësisht në pronësi të rusëve. Firma është akuzuar më parë për fshehjen e informacioneve mbi luftën në Ukrainë.
Moska ka mirëpritur marrëveshjen e fundit për të cilën kompania bëri të ditur se ishte “produkt i një periudhe të gjerë planifikimi dhe negocimi për mbi 18 muaj”.
“Kjo është pikërisht ajo që ne donim të arrinim disa vjet më parë kur Yandex kërcënohej të merrej në dorë nga gjigantët perëndimorë të teknologjisë”, është shprehur Antont Gorelkin, nënkryetar i komisionit të parlamentit rus për politikën e informacionit.
“Yandex është më tepër se një kompani, është pasuri e tërë shoqërisë ruse”, ka shtuar ai.
Yandex është ngritur në fund të viteve të ’90-ta si motor i kërkimit online, burim i hartave dhe i reklamave të bizneseve.
Që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë, shumë biznese me pronësi të huaja janë larguar nga vendi, më së shumti duke shitur asete me kushte të pafavorshme.