Tech

LoL është loja më e shikuar në streamet Twitch, ndërsa GTA V e ka trefishuar shikueshmërinë

Një raport i ri sugjeron që Grand Theft Auto V e ka trefishuar shikueshmërinë e vet në streamet Twitch, ndërsa gjatë vitit 2019 i ka regjistruar 523 milionë shikime (nga 138 milionë sa ishin në vitin 2018). Raporti State of the Stream 2019, i krijuar nga StreamElements dhe Arsenal.gg, tregon ndryshime të mëdha në numrin e shikuesve për streamerë, platforma dhe lojëra të ndryshme gjatë vitit të kaluar, raporton PCGamer.

Duhet të theksohet se PlayerUnknown's Battlegrounds ka rënë plotësisht nga Top 10 i lojërave më të shikuara. Gjatë vitit 2018, PUBG i kishte 416 milionë shikime, ndërsa gjatë këtij viti kishte rënë nën 217 milionë sa i ka Hearthstone në vendin e 10-të.

Të gjitha statistikat e mësipërme janë për Twitch, i cili vazhdon ta dominojë tregun kur bëhet fjalë për rishikimet e streamingut të videolojërave, shkruan KOHA Ditore. Në këtë segment, League of Legends u rikthye në vendin e parë, duke e arritur Fortnite. LoL ka pasur një rritje nga 929 milionë në 990 milionë shikime, ndërsa Fortnite ka shënuar rënie nga 1.2 miliardë në 884 milionë.

Një statistikë shumë interesante e ka arritur Grand Theft Auto V, gjë që edhe një herë e dëshmon popullaritetin e madh të lojës, ndërsa është vërejtur që disa streamerë të mëdhenj kanë shfaqur interesim për gameplayin GTA V.