Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Lideri iranian censurohet nga X-i pas postimit kundër Izraelit

Shefi i rrjetit social X, Elon Musk, ka marrë vendim të censurojë një postim të liderit iranian, Ali Khamenei, pasi shfaqi gëzim pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit. Sipas Musk, deklarimi i Khameneit “e bëri të qartë se qëllimi i Iranit është çrrënjosja e Izraelit”.

“Dhashtë Zoti, kanceri i regjimit uzurpator sionist do të zhduket nga duart e popullit palestinez dhe forcave të rezistencës në të gjithë rajonin. #AlAqsaStorm”, ishte postimi i liderit iranian.

Siç ka shkruar “Thehill”, Musk është shprehur se deklarime të tilla nuk do të lejohen, duke theksuar se nxitja e zjarrit të urrejtjes nuk funksionon.

“Pozicioni zyrtar i Khameneit është i qartë se çrrënjosja e Izraelit është qëllimi aktual, jo vetëm mbështetja e palestinezëve. Kjo nuk do të ndodhë. Gjithçka që ndodh në fakt, dekadë pas dekade, është një cikël i pafund i dhunës dhe i hakmarrjes. Nxitja e zjarrit të urrejtjes nuk funksionon. Ndoshta është koha për të menduar diçka tjetër”, është shprehur tutje shefi i X-it, dikur i quajtur Twitter.

Për postimin e Khameneit, Musk ka shtuar se i shkel rregullat e rrjetit social, por “mund të jetë në interesin e publikut që postimi të mbetet i qasshëm”.

Kur Musk mori drejtimin e X-it, i hoqi disa rregulla në lidhje me fjalët e përdorura në platformë, duke përfshirë zhbllokimin e disa llogarive që ishin konsideruar antisemitike.

Artikuj të ngjashëm