Apple ka lansuar të mërkurën pasdite modelet më të fundit të telefonit të saj të mençur, iPhone 14 me ekran 6.1 inch.
Ai nuk do të jetë më i disponueshëm në madhësinë më të vogël, Mini dhe në vend të kësaj Apple do të ofrojë një "iPhone 14 Plus", i cili do të vijë me ekran 6.7 inch, raportoi The Independent të mërkurën.
Deri më tani, përdoruesve u është dashur të paguajnë më shumë për modelin e nivelit të lartë "Pro" nëse dëshironin madhësinë më të madhe të ekranit.
Çmimi i telefonit fillon nga 799 dollarë, i njëjti çmim si për iPhone 13 ekzistues, ndërkaq versioni më i madh kushton 899 dollarë. Të dy telefonat janë në dispozicion për porositje paraprake të premten – me versionin më të vogël të disponueshëm një javë më vonë dhe atë më të madhin që vjen në fillim të tetorit.
iPhone 14 është vënë në dispozicion në pesë ngjyra.
Në pjesën më të madhe, iPhone 14 është kryesisht i pandryshuar nga modeli i mëparshëm. Ai do të përdorë një çip të vjetër dhe të njëjtin dizajn si iPhone 13 ekzistues.
Megjithatë, Apple tha se prezantimi i teknikave të reja të përpunimit të fotografive vijnë në versionin e ri të publikuar.
Prezantohet AirPods Pro me çmim prej 249 dollarësh
Gjenerata e re e AirPods Pro do të jetë në dispozicion me çmim për 249 dollarësh, duke filluar nga 9 shtatori, u bë e ditur të mërkurën në ngjarjen e madhe të Apple.
Një rrëshqitje e lehtë lart e poshtë kufjeve do të rrisë ose ulë volumin, raportoi CNN të mërkurën.
AirPods do të kenë 6 orë kohë dëgjimi me një karikim të vetëm. Çdo kufje tani është e pajisur në atë mënyrë që do të bëjë një zhurmë për t'ju ndihmuar t’i gjeni.
AirPods Pro i ri vjen gjithashtu me teknologji të përmirësuar dhe dinamike të anulimit të zhurmës, tha të mërkurën Mary-anne Rau e Apple.
Po ashtu AirPods Pro do të reagojë menjëherë nëse përdoruesi i ekspozohet nivelit të lartë të zhurmës gjatë dëgjimit.

Apple hedh në treg orën inteligjente ”Watch Ultra” me çmim prej 799 dollarësh
“Apple” zbuloi një orë të re inteligjente me çmim prej 799 dollarë, e krijuar për entuziastët e natyrës.
“Modeli i ri, i quajtur Apple Watch Ultra, është Apple Watch më i fortë ndonjëherë”, tha të mërkurën Jeff Williams nga kompania “Apple”.
Sipas tij, ora është projektuar për “eksplorim, aventurë e qëndrueshmëri” dhe se për të është punuar me vite.
Ora përmban ekranin më të madh dhe më të ndritshëm ndonjëherë, duke e bërë më të lehtë leximin në rrezet më të forta të diellit.
Është më rezistente ndaj ujit, mund të përdoret kur mbani dorëza dhe jetëgjatësia e baterisë është 36 me një karikim të vetëm dhe 60 orë nëse përdoret me cilësimin e ri të optimizimit të baterisë, që vjen këtë vjeshtë.
Apple Watch Ultra do të ketë gjithashtu një gjetës rrugësh.

iPhone 14 zëvendëson SIM kartën fizike me kartën digjitale “e-SIM”
Apple ka bërë të ditur të mërkurën se linja e saj e fundit e iPhone eliminon nevojën për një kartë SIM fizike dhe në vend të kësaj përdor një kartë digjitale, "e-SIM".
Me këtë opsion, ju mund të ruani shumë karta e-SIM në të njëjtën pajisje dhe të keni shumë numra telefoni në të njëjtin telefon, raportoi CNN.
Gjithashtu kjo parandalon që të tjerët të heqin kartën fizike SIM nëse iPhone juaj humbet ose vidhet.
Apple tha se të gjitha modelet amerikane të iPhone nuk do të kenë më shportën SIM.

Apple krijon lidhjen satelitore në iPhone 14
Apple ka zbuluar të mërkurën në ngjarjen e saj të madhe të lansimit të iPhone 14, funksionin e lidhjes satelitore të përfolur prej kohësh, të quajtur Emergency SOS, nëpërmjet satelitit.
Mjeti ka për qëllim të ndihmojë njerëzit të komunikojnë kur shërbimi i tyre celular nuk funksionon, një proces që Apple për vite të tëra pretendon ta bëjë realitet, raportoi CNN të mërkurën.
Kompania tha se projektoi dhe ndërtoi teknologji specifike në mënyrë që pajisjet iPhone 14 të mund të lidhen me satelitët kur nuk janë afër një kulle tokësore.
Duke i lejuar përdoruesit të drejtojnë pajisjen e tyre drejt një sateliti, të cilin telefoni do të ndihmojë në gjetjen e tij, përdoruesit do të jenë në gjendje të dërgojnë dhe të marrin informacione për të marrë ndihmë urgjente.
