Një kompjuter origjinal i Appleit i krijuar nga bashkëthemeluesit Steve Wozniak dhe Steve Jobs në vitin 1976 është shitur për 400 mijë dollarë në një ankand në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Apple-1 – që ende funksionon – ka qenë vetëm një nga 200 njësitë e prodhuara dhe të shitura.
Kompjuteri ka pasur vetëm dy pronarë, një profesor dhe studentin e tij të cilit ia shiti pajisjen për 650 dollarë, kanë thënë nga shtëpia e ankandeve “John Moran” në Kaliforni.
Pajisja ka edhe një manual për përdorim.
Mburoja me dru të veçantë iu shtua pajisjes nga shitësi i parë i pajisjes në Kaliforni, “ByteShop”, që kishte shitur 50 njësi të tilla.
Jobs, Wozniak dhe Ronald Wayne themeluan kompaninë Apple më 1 prill 1976 në një garazhe në Kaliforni. Për të ndihmuar financimin e prodhimit të Apple 1, Jobs shiti veturën e tij, përderisa Wozniaku shiti një kalkulator prej 500 dollarësh.
Në vitin 1976, pajisjet u shitën për 666.66 dollarë. Besohet se janë rreth 20 kompjuterë të tillë në botë, që ende funksionojnë.
Ankandi nuk ishte më i shtrenjti për pajisjet Apple-1. Më 2014, një i tillë ishte shitur për 905 mijë dollarë në ankandin “Bonhams” në New York.
