Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Kohë ndryshimi në Kubën komuniste, zgjerohet aksesi në internet

Autoritetet në Kubë kanë hedhur një tjetër hap drejt hemisferës perëndimore, duke zgjeruar aksesin në internet për përdoruesit e telefonisë së lëvizshme, transmeton abcnews. Për momentin shërbimi ofrohet për klientë të përzgjedhur, por brenda vitit synohet që ai të arrijë tek 5 milionë abonentë.

Me largimin e regjimit të vëllezërve Castro, Kuba ka hyrë në rrugën e ndryshimeve. Një nga lëvizjet e fundit të pushtetit të ri të udhëhequr nga presidenti Migel Diaz Kanel është ofrimi i shërbimit të internetit në telefonët celularë. Për momentin shërbimi ofrohet për përdorues të përzgjedhur, por qeveria synon që brenda vitit ai të përhapet në shkallë kombëtare.

Gazetarët e mediave shtetërore ishin të parët që këtë vit siguruan shërbime interneti në telefonët e tyre, të ofruar nga e vetmja kompani telefonike e vendit, ETECSA. Për presidentin Kanel, aksesi në botën online do të shërbejë për të nxitur ekonominë e Kubës dhe do të ndihmojë kubanezët në mbrojtjen e parimeve të revolucionit.

Analistët vlerësojnë se zgjerimi i aksesit në internet do të dobësojë kontrollin e qeverisë mbi informacionin që shkon tek qytetarët. Në vendin me një parti të vetme, mediat janë monopol i shtetit dhe aktualisht autoritetet mbajnë të bllokuar aksesin në faqet e internetit të disidentëve. Klientë të caktuar, përfshirë stafet e kompanive dhe ambasadave, janë pajisur gjithashtu me shërbim interneti që prej dhjetorit të kaluar, por deri më sot gjithçka është mbajtur e fshehtë.

Kompania ETECSA synon që brenda këtij viti ta zgjerojë internetin për telefoninë e lëvizshme deri në 5 milionë përdorues, që janë thuajse gjysma e popullsisë së Kubës. Nuk dihet nëse kjo lëvizje vjen si pasojë e mungesës së likuiditetit për shkak të embargos së gjatë të tregtisë të vendosur nga Shtetet e Bashkuara, por pa dyshim ajo përbën një hap të mëtejshëm drejt hemisferës perëndimore. Deri në vitin 2013 në Kubë interneti ofrohej vetëm për turistët që ndalonin në hotelet shtetërore.

Artikuj të ngjashëm